“Adriatik Llalla do i marre me vete te gjithe, pushtetarët e Tiranës do mbrojnë njëri-tjetrin që lëmshi i tyre të mos shpërbëhet”

Uncategorized

Veprimtari shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shenasi Rama, gjatë një interviste për shqiptarja.com ka komentuar paralajmërimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për izolimin e zyrtarëve të korruptuar shqiptar. Rama thekson se shpallja non grata e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla nga SHBA ishte një veprim i llogaritur, për t’i përcjellë një mesazh të qartë parisë së Tiranës.

Sipas tij, ky vendim tregon se ka një çarje të thellë mes SHBA dhe parisë sunduese në Tiranë, duke iu referuar këtu pushtetarëve aktualë dhe ish-pushtetarëve. Sipas tij, vendimi të tilla janë marrë edhe më parë, por jo në mënyrë kaq të hapur. Shenasi Rama mendon se Adriatik Llalla do të tërheqë edhe të tjerë nga pas, ndonëse pushtetarët e Tiranës do ta mbrojnë njëri-tjetrin me qëllim që lëmshi të mos shpërbëhet.

Rama është ndalur edhe tek pritshmëritë sa i takon zbatimit të reformës në drejtësi, prapaskenat e deklaratës së kryeministrit Edi Rama për një president të përbashkët Shqipëri-Kosovë, rikthimin e aleancës mes PD dhe LSI etj.

-Z. Rama, për herë të parë që nga rivendosja marrëdhënieve mes dy vendeve, SHBA ka vendosur izolimin e zyrtarëve të korruptuar shqiptarë, bashkë me familjarët e tyre. Si e vlerësoni ju këtë vendim ekstrem dhe pse kaq i vonuar?
Nuk e kemi për herë të parë këtë, edhe pse e kemi për herë të parë në këtë mënyrë të hapur dhe direkte. Ka shumë zyrtarë shqiptarë që po të mos ishin në detyra të larta, do të ndesheshin me refuzimin e vizave dhe të hyrjes në SHBA, çka edhe ka ndodhur sistematikisht më parë e pse jo, edhe me arrestimin për krime që mund të kenë bërë që nga Edi Rama e më poshtë. Ka një kod diplomatik që kërkon ngrirjen e rasteve të tilla për sa kohë zyrtarët janë në detyrë. E megjithatë, në këtë moment, një vendim i tillë, qoftë edhe për një individ të vetëm, që tashmë është jashtë loje, tregon shumëçka.

Më së pari, një vendim i tillë tregon se proceset po ndiqen me seriozitetin e duhur. SHBA po merren edhe me një ish-Prokuror të Përgjithshëm në Tiranë. Natyrisht që merren edhe me ata që janë më lart në hierarkinë shtetërore, por me që janë në detyrë po tregohen diskretë. Llalla vetë ka thënë se ambasadori i SHBA i ka kërkuar arrestimin e Ilir Metës dhe të Sali Berishës… dhe hapur është përpjekur të diskreditojë SHBA dhe ambasadorin për ndërhyrje në lidhje me proceset si me Bankers etj. Së dyti, tregon se ka një çarje të thellë dhe papajtueshmëri të ndjeshme midis parisë sunduese të Tiranës dhe SHBA në nivelin shtetëror.

Paria e Tiranës nuk do të lërë njeri të bjerë në rrjetën e gjykimit të huaj sepse e din se lëmshi shpërbëhet edhe duke tërhequr vetëm një fije. Kështu që do të ruajnë njëri-tjetrin dhe interesat e tyre. Pra, edhe përkundër kërkesave të SHBA, ata e mbajtën këtë person në detyrë dhe do ta mbrojnë deri në fund atë, dhe njëri-tjetrin. Së treti, është edhe një shenjë se pavarësisht se është në NATO, shteti shqiptar është një shtet jashtë kontrollit, pak a shumë në nivelin e Moldavisë. Së katërti, tregon se ky individ është pjesë e një strukture më komplekse. Që të korruptohesh dhe të përcaktohesh si i korruptuar, do të thotë se je në një rrjet ndërvarësish dhe sjelljeje kriminale me shumë të tjerë.

Duke qenë se zotëria në fjalë ishte një zar i dikujt tjetër, atëherë është afërmendsh që edhe ata që e vunë në atë detyrë janë në lista të caktuara që mund të dalin më vonë. Së pesti, nuk ishte një vendim ekstrem, sepse ka edhe mënyra të tjera për të adresuar probleme të tilla. A ishte o vonuar? Nuk mendoj. Mospajtueshmëria e SHBA me parinë dhe në veçanti me ish-prokurorin e Përgjithshëm dihet me kohë dhe është e bërë publike si nga Ambasada e SHBA ashtu edhe nga vetë zotnia në fjalë. Ishte një veprim i llogaritur për të përcjellë një mesazh që gjithsesi u trajtua me shumë indiferencë në Tiranë. Paria e Tiranës tashmë mendon se ka zgjidhje të tjera dhe ka punuar e punon për të kultivuar alternativa të tilla.

-Departamenti Amerikan i Shtetit ka deklaruar se fundmi se nuk e fal më korrupsionin në Shqipëri dhe se do të ketë edhe pushtetarë të tjerë në listën e zezë. A po ndryshon qasje politika amerikane ndaj politikës se Tiranës dhe pse?
Nuk është çështje të faluri, por pragmatizmi; dhe pragmatizmi në politikë është i pranueshëm dhe një veprim normal. Ky është vendi dhe këta janë njerëzit. Nuk ka shenjtorë në shtetin shqiptar dhe kjo nuk është ndonjë gjë e re. Ndryshe nga më parë, në këtë pikë, ka shumë gjëra që janë bërë bashkë dhe që i kanë vënë proceset në hulli jo të këndshme.

Sepse kjo që po ndodh është një formë sanksionesh që aplikohet ndaj shteteve jo-mike, në Ballkan ishte rasti i Maqedonisë më parë, dhe që tregon se ka shumë shqetësim në lidhje me sjelljen e Tiranës. Ka ndryshuar dhe është ashpërsuar marrëdhënia strategjike midis Fuqive të Mëdha në Ballkan, dhe kjo shihet si mundësi për të pasur hapësirë veprimi nga ana e parisë, çka e bën shtetin shqiptar një fushëbeteje në vend që të ishte një shtet i bindur. Qasjet e mëparshme kanë dështuar dhe çdo përpjekje për të ndërtuar një shtet ligjor që të përmbushë detyrat dhe të mbrojë interesat strategjike po ashtu ka dështuar.

Po shihet se edhe këta që u kultivuan për interesa të caktuara dhe u mbështetën nga jashtë janë realisht nën kontrollin e hekurt të parisë së Tiranës. Paria e Tiranës ka vendosur të ndjekë një rrugë që e bën shtetin shqiptar të hapur për të gjithë, dhe po synon që të shkojë tek aleatët e tyre natyralë, rusët dhe kinezët. Tashti shteti shqiptar drejtohet nga njerëz që kanë probleme, edhe ligjore, me SHBA, që janë vegla të krimit ndërkombëtar dhe të lidhur me gjithfarë interesash të dyshimta.

-Më konkretisht ku konsiston orientimi nga rusët dhe kinezët?
Problemi themelor i kohës dhe që duhet ta shohim me shumë kujdes është se paria e Tiranës po bën një zgjidhje strategjike problematike. Ndërsa shqiptarët e thjeshtë janë në pritje të çfarëdo lëvizje drejt BE, dhe të mpirë mendërisht, paria me shumë kujdes po e lëviz anijen e shtetit, aq sa ka mbetur, drejt krahut të kundërt me orientimin strategjik të deritanishëm. Pavarësisht ngjyrimeve ideologjike majtiste, në thelb shteti drejtohet nga një aleancë ortodokse-jeniçere, e pranishme në të gjithë partitë si në qeveri ashtu edhe në opozitë. Për të dy palët, gjendja e tanishme është e rrezikshme. Duke menduar se u vendos kapitalizmi, këta deshën të bëhen borgjezia dhe shqiptarët e tjerë skllevër.

Mirëpo logjika e shtetit i bie ndesh kësaj logjike thjesht ekonomike. Shtetet duhet të sillen në mënyra të caktuara në sistemin ndërkombëtar. Shteti shqiptar është shtet kyç në lojën strategjike në Mesdhe. Duke bërë të kundërtën e asaj që duhet e që pritet prej saj, paria e Tiranës ka hapur dyert për investimet dhe interesat kineze dhe ruse. Shpirtërisht të fiksuar tek Moska, Leningradi, dhe Pekini, paria ka ftuar direkt dhe indirekt interesa ekonomike, politike, e kulturore ruse dhe kineze. Ajo ka investuar një pjesë të mirë të pasurisë së saj në kompani dhe banka që janë me qendër në këto shtete.

Paria ka bashkëpunuar, çdo ditë e më hapur me këto shtete, me organizmat e tyre, lidhje të shumëllojshme, dhe me persona të lidhur me qendrat e tjera të pushtetit, që tashmë janë partnere të hapura në pika kyçe të ekonomisë dhe të shoqërisë. Me një përkujdesje dhe këmbëngulje të theksuar, paria ka punuar dhe punon për diskreditimin e thellë të SHBA dhe të BE në masat e popullit. Në dukje shprehet për atë që duhet, por me të folurën e dyfishtë oruelliane ka arritur të ulë çdo vit e më shumë mbështetjen e njerëzve për orientimin e tanishëm formal strategjik. Tashmë shumica e njerëzve e shohin ketë lidhje nga prizmi ekonomik. Dhe miliardat që hyjnë e që shpërlahen janë bindëse për një popull që e ka mendjen tek paraja dhe droga që rrit.

Shkurt, mendësia e tanishme sunduese e parisë, dhe treshja Edi Rama, Ilir Meta dhe Sali Berisha po e ndjekin me konseguencë, “edhe Lindje, edhe Perëndim” ka krijuar një balancim strategjik që nuk është shumë i hapur por që është i ndjeshëm. Sa të kalojë dështimi I hyrjes në BE, dhe faji t’i mbesë BE, atëherë mendoj se paria do të shtyhet një hap më tej në hapjen drejt Lindjes. Përpjekjen e tanishme për reforme etj., e shohin si mjet direkt për vendosjen e kontrollit mbi shtetin shqiptar dhe si rrezik vdekjeprurës. Në bashkëpunim të plotë me njëri-tjetrin do të mundohen ti rezistojnë deri në fund. Problemi I parisë nuk është më niveli strategjik por mendësia popullore që instinktivisht e sheh afrimin me Rusinë, një aleate jetike e armiqve shekullorë, si problematikë dhe të papranueshëm. Po nga ana tjetër, aleati më i fortë i parisë është zhgënjimi i thellë popullor me tranzicionit dhe me gjendjen.

Por tani jemi një shtet i kriminalizuar, mjetet e zakonshme të presionit nga të huajt nuk kanë atë efekt që duhet, njerëzit janë të korruptuar dhe askush nuk është tërësisht jashtë kontrollit të parisë, dhe paria e ka gjendjen nën kontroll. Si janë duke shkuar punët, shteti shqiptar nën udhëheqjen e Edi Ramës, me bashkëpunimin e dyshes Berisha-Meta po përballet me një zgjidhje të vështirë dhe një çarje që ka të njëjtat dimensione si ajo e viteve 1957-1961. Lufta e spiunëve në shtetin shqiptar shumë lehtë mund të shkojë në luftë civile dhe për disa politikanë, edhe luftë guerile.

-Ne intervista të mëparshme keni qeni skeptik dhe dyshues sa i takon rezultatit të reformës në drejtësi. Si e shikoni këtë proces? A kanë dyshuar pritshmëritë tuaja në raport në reformën në drejtësi? Sipas informacioneve paraprake më shumë se gjysma e gjyqtareve dhe prokurorëve nuk e kalojnë Vetingun.
Asgjë nuk ka ndryshuar në vlerësimin tim. Ashtu si e kam pasë parashikuar ashtu edhe ka dalë. Nuk janë 57% e gjyqtarëve që, siç thuhet, nuk arrijnë të justifikojnë pasurinë. Në fakt, siç thuhet, janë vetëm katër gjyqtarë nga 350 e ca që mund ta justifikojnë pasurinë që kanë pa ngritur dyshime. Paria e Tiranës nuk ka ndërmend që të hyjë në burg me këmbët e veta. Kështu që reforma në drejtësi u shndërrua në një tallje të hapur me të huajt dhe me shqiptarët. Deklaratat që bëhen për reformën janë thjesht për konsum publik. Në fakt, ata do të bëjnë atë që duan dhe tashmë janë të bindur se duhet të ecin në një rrugë të caktuar që nuk është ajo që kërkohet nga SHBA apo BE.

-Çfarë mendoni se fshihet pas deklaratës së Ramës për një president të përbashkët Shqipëri-Kosovë, e cila u kundërshtua prerë nga ndërkombëtaret?
Në vlerësimin e atyre që merren me këtë zanat, Edi Rama është profesionist i zoti në politikë dhe është nga të paktët lojtarë politikë që nuk i bën veprimet e tilla pa u menduar si duhet. Duke hedhur një deklaratë të tillë, dhe duke e ditur ndjeshmërinë e të huajve, Edi Rama po bën presion të hapur politik që të hapet një derë, sado e vogël për integrimin e shtetit shqiptar në BE, qoftë edhe sa të hyjë pak dritë, dhe të mund të thuhet se procesi i integrimit po ecën përpara.

Ministrat e BE në Sofje e mbyllën atë mundësi dhe Edi Rama po mundohet që të bëjë presion që të rihapet. Ky është një sukses që atij i duhet me çdo kusht për të garantuar qeverisjen e tij. Mendoj se do ta marrë shpejt përgjigjen dhe ajo nuk ka me kenë fort e këndshme sepse BE është në krizë të thellë, tani vjen referendumi italian, janë çështjet strategjike ku përparësi kanë Mali i Zi dhe Serbia, dhe nuk ka kush kohë të merret me shqiptarët e shtetit shqiptar. Mirëpo Edi Rama nuk thotë kurrë një gjë pa pasur disa qëllime në mend.

Duke folur për një president të përbashkët ai po paraqitet si nacionalist çka e bën të pranueshëm nga shqiptarët e Kosovës. Kështu po mbulohet presioni i madh që shteti shqiptar dhe vetë Edi Rama, një kozmopolitan i thekur, ka bërë mbi politikanët e Kosovës për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe për lidhjet me Serbinë. Shto këtu presionin e madh që kjo gjendje dhe deklarata krijon mbi politikanë si Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerët që nuk guxojnë të flasin për këtë temë sepse iu krijohen probleme të papërballueshme, dhe Edi Rama bëhet faktor në Kosovë.

Në një mënyrë perverse, kjo krijon mbështetje për LVV dhe për Albin Kurtin që ndjekin ëndrrën imagjinare të bashkimit kombëtar me flamur, por pa bashkim në ekonomi, struktura shoqërore, qëllime afatgjata, identitet, histori, vlera dhe institucione politiko-ligjore. Kështu, duke dalë si pranues indirekt i zgjidhjes etnike të problemit politik të Ballkanit, Edi Rama, ia shkel syrin kolegut të vet Aleksandër Vuçiç që e dëshiron një zgjidhje të tillë.

Sepse ndërsa Edi Rama është një kozmopolitan që përdor nacionalizmin, Vuçiç dhe serbët përdorin kozmopolitanizmin për synimet e tyre nacionaliste. Më në fund, Edi Rama mbuloi edhe sjelljen e vet politike, marrëveshjen me Greqinë që pavarësisht se si po shitet, është shumë negative për shqiptarët. Dhe kështu shihet se kombëtarizmi i Edi Ramës është fals, aq sa mund të arrijë falsiteti. Shkurt, një deklaratë për të arritur shumë qëllime por që nuk ka asnjë bazë në realitet sepse Edi Rama punon hapur kundër kombëtarizmit shqiptar.

-Si e shihni rikthimin e aleancës mes PD dhe LSI?
Një balancim i natyrshëm. Edi Rama është fuqizuar shumë dhe të gjithë tashmë e kanë problem. Mirëpo në Tiranë nuk bëhet luftë politike, por luftë për kocka dhe për mbijetesë. Ndërsa Edi Rama merret vesh lehtësisht me Lulzim Bashën, sepse kanë të dy të njëjtin usta, Ilir Meta dhe Sali Berisha do të punojnë me njëri-tjetrin dhe për njëri tjetrin sepse kanë rezerva në lidhje me sjelljen e Edi Ramës. E megjithatë, kjo është një sjellje taktike. Paria e Tiranës janë shumë kompakte dhe të gjithë palët ndajnë të njëjtën mendësi, interesa dhe përgjegjësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *